Me përkujtim të 71 vjetorit të vdekjes së Imzot Vinçenc Prendushi

Pubblicato: Enjte, 19 Mars 2020

Vinçenc Prendushi, Klerik, Atdhetar, Poet, Edukator, Martir i fesë

 Vinçenc Prendushi

 

 

Vinçenc Prendushi ishte djalë i Shkodrës, por shpejt do të bëhej i gjithë Shqipërisë. Do të vishte rroben e thjeshtë të françeskanit dhe në zemër do të ruante butësinë e një shpirti fisnik dhe forcën një burri të paepur, krenarinë për të parët e dritën e kulturës mbi të gjitha, simbolizon një shembull përsosmërie njerëzore.

Duke u ngjitur në shkallët e hierarkisë kishtare u bë arqipeshkëv i Sapës dhe i Durrësit. Në vitin 1946 dënohet nga regjimi komunist dhe mbas tre vjet vuajtjesh dhe mjerimesh të jashtëzakonshme me 1949 vdes në një nga dhomat e burgut të Durrësit duke patur si bashkëvuajtës disa profesorë të gjimnazit të Durrësit si Prenk Kaçinari, Arshi Pipa, klerikun Jul Bonati dhe myftiun Mustafa Varoshi.

Bashkëjetesa me besimet e tjera e bëri atë më të kujdesshëm më të butë, më të matur, por asnjëherë të nënshtruar. Ai e provoi veten në pranga dhe në qelitë e burgut: në tortura dhe kërcënimin e vdekjes, ku duroi me vetmohim, por për asnjë çast nuk i tradhëtoi idealet e veta. Një bashkëvuajtës i tij. Arshi Pipa  ka shkruar: “Ai ishte i butë në shpirt dhe i paqëm thellësisht, i devotshëm, i përkushtuar misionit të vet kishtar, në kuadrin e të cilit dinte të pajtonte me një urtësi të bindshme, dashurinë e vet për atdheun me shijen për letërsinë.

Ishte gojëtar që dinte të ndizte zemrat me atdhedashuri. Fjalët i buronin nga një mendje e qartë dhe nga flaka e një shpirti frymëzues. Në shpirtin e tij nisi të përpëlitej edhe një ndjesi drithëronjëse, e ëmbël, e zjarrtë. “Thirrja poetike”. Në vitin 1924 Vinçenc Prendushi botoi vëllimin poetik “ Gjeth’ e lule”. Besimtari, atdhetari dhe poeti foli me njomështinë e blerimin e gjetheve, këndoi me mrekullinë e aromave dhe ngjyrave të luleve. Buqeta e parë e luleve është padyshim dashuria dhe besimi i thellë ndaj Zotit. Është burimi i kthjellët që në qindra vargje sjellë ngrohtësinë e lutjeve.

Në poezinë e Fishtës kushtuar Vinçenc Prendushit tingëllojnë shumë aktuale vargjet:

“Ky tuj ndjekun gjurmët e t’Parëve,

zemërflaktë për Atdhe e Fe,

Ka me kenë ndera e shqyptarëve,

Edhe n’mote, që s’kanë le.”